Sistemi CCTV
POLITIKA E VËZHGIMIT ME KAMERA (VIDEO SURVEJIMI – SISTEMI CCTV)
Politika e vëzhgimit me kamera në LuarMed është në përputhje të plotë me Ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar me Ligjin nr. 19/2016 “Përmasat shtesë të sigurisë publike” si dhe me udhëzimin e miratuar nga Komisioneri nr. 46, datë 26.03.2017 “Për përcaktimin e nivelit të sigurisë për përpunimin e të dhënave personale nëpërmjet sistemeve të sigurisë, në zbatim të ligjit nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”.
Aplikimi i sistemit të kamerave në godinat e LuarMed dhe përpunimi i të dhënave personale nëpërmjet këtij sistemi të masave shtesë të sigurisë është në përputhje me qëllimin e parashikuar në ligjin nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike” si dhe me interesat ligjorë të organizimit dhe funksionimit të LuarMed në cilësinë e institucionit jo publik shëndetësor.
​
Të dhënat personale që përpunohen nëpërmjet sistemit të videosurvejimit me kamera CCTV në të gjitha godinat e LuarMed, të cilat e bëjnë një individ të identifikueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë trajtohen në përputhje me nenin 14 të Ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar. Sistemi i videosurvejimit nuk mund të ndërhyjë dhe të cënojë jetën private të klientëve, personelit mjekësor dhe administrativ si dhe të individëve të tjerë. Regjistrimet mund të përdoren vetëm për hetimin e një ngjarjeje që ka sjellë dëmtimin e pronës, të bazës materiale dhe funksionale të ambienteve të ushtrimit të aktivitetit të LuarMed si dhe të interesave të mbrojtura me ligj. Legjitimiteti i përdorimit të të dhënave të regjistruara për qëllime të tjera është i kufizuar vetëm për një interes të rëndësishëm publik sipas qëllimit të ligjit 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”.
​
Konform qëllimit të mësipërm në ambientet e LuarMed janë vendosur kamera në dyert hyrëse-dalëse, mbi arkat dhe në brendësi të laboratorit.
​
Në këto ambiente në vendin e pozicionimit të kamerave është vendosur edhe tabela përkatëse infomuese sipas modelit zyrtar të miratuar nga Zyra e komisionerit në mënyrë që të garantohet informimi i individëve për sistemin e monitorimit me kamera. Është e ndaluar mbikëqyrja me kamera si dhe regjistrimi i imazheve në ambiente private, si ambiente sanitare, në zyrat e personelit si dhe në dhomat e zhveshjes, etj. Të gjitha kamerat janë të vendosura dhe të pozicionuara në një mënyrë të tillë që këndi i vrojtimit të jetë i tillë që të mund të filmojë pamje brenda qëllimit për të cilin është instaluar sistemi dhe nuk mund të filmojnë imazhe nga ambiente të cilat nuk përputhen me qëllimin e mbikëqyrjes.
​
Kohëzgjatja e ruajtjes së të dhënave është 17 ditë dhe është e përcaktuar edhe në rregulloren për mbrojtjen e të dhënave personale në LuarMed. Të dhënat asgjësohen automatikisht pas përfundimit të kësaj periudhe.
Politika e survejimit me kamera është në përputhje me qëllimin e parashikuar në ligj dhe garanton ushtrimin e së drejtës së çdo personi për të konsultuar përpunimin e të dhënave përkatëse, për të verifikuar, ndryshuar apo fshirë informacionet e tyre. Për ta realizuar këtë të drejtë si dhe për t’u informuar në mënyrë të përgjithshme mbi politikat e videosurvejimit CCTV duhet ti dërgohet një kërkesë me shkrim personave të autorizuar nga titullari i institucionit për përpunimin dhe administrimin e të dhënave personale në LuarMed.
​
Nëse vlerësoni se shkelet privatësia juaj nëpërmjet përdorimit të sistemit CCTV keni të drejtë të kundërshtoni këtë lloj përpunimi në bazë të nenit 15 të Ligjit “Për Mbrojtjen e të dhënave personale”.
​